Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut e që janë banorë të Kërçovës, që të vijnë më 2 nëntor për të votuar kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim, Fatmir Deharin, i cili përballet në balotazh me Aleksandër Jovanovskin e VMRO-DPMNE-së.
“Kërçova më shumë se kurrë, ka nevojë për bijtë e vet nga mërgimi! Ftoj miqtë e mi nga Kërçova dhe komunat tjera në Maqedoninë e Veriut, si asnjë herë më parë, të bëjnë të gjitha rrugët për të shkuar në votim më 2 nëntor, në veçanti çdo votë e diasporës të udhëtojë në vendlindje ku partitë politike shqiptare, janë në balotazh me partitë maqedonase”, shkroi Lladrovci në Facebook.
Lladrovci ka konsideruar se beteja për Kërçovë nuk është thjesht një garë politike lokale, por një betejë mes liderit të BDI-së, Ali Ahmetit dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoskit.
“Më e rëndësishmja në zgjedhjet e 2 nëntorit, në balotazh, gjendet komuna e Kërçovës, komunë kjo e vendlindjes së Ali Ahmetit. Komunë e lënduar nga mërgimi i shumë qytetarëve dhe mungesa e përkrahjes nga niveli qendror për ngritjen e perspektivës për të jetuar e punuar në vendlindje”.
“Sot, Kërçova ka nevojë për bashkimin e të gjithë faktorëve shqiptarë të cilët u renditën pas kryetarit Fatmir Dehari. Bashkim i shqiptarëve, pa dallim subjekti e bindje politike, sepse, Kërçova është më shumë se betejë politike për një komunë, është betejë në mes të Ali Ahmetit dhe Hristijan Mickoskit”, shtoi ai.
Këtë betejë, Kryetari i Drenasit theksoi se “duhet ta fitojnë shqiptarët, sepse, munden, e kanë fuqinë e trupit elektoral dhe vullnetin për të dalë te kutitë e votimit për të tashmen dhe të ardhmen e vet”. “Fatmir Dehari është jo vetëm përfaqësues i BDI-së, është bartës i përgjegjësisë për të fituar me shqiptarët, për shqiptarët”.
Beteja politike për Kërçovën, ai konsideron se është betejë “që pret angazhimin e secilit qytetarë të mërguar, o sot, o kurrë”.
“Kërçovarë, dilni zot komunës Tuaj, miq, shokë dashamirë, mos kurseni për Uskanën, për Kërçovën!”, shkroi Lladrovci ndër të tjera.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kërçovë, i pari doli Aleksandër Jovanovski i VMRO-DPMNE-së me 44.50 për qind, ndërsa i dyti Fatmir Dehari i AKI-së me 21.28 për qind. I treti u rendit Fatmir Limani i VLEN-it me 15.86 për qind, i ndjekur nga Shkodran Alili, kandidat i pavarur, i cili mori 15,26 për qind.









