Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, D.B. dhe E.B., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se kanë nxitur urrejtje dhe mosdurim ndaj grupeve fetare, duke “propaganduar ideologji ekstreme dhe duke përkrahur publikisht veprimet e organizatës terroriste ISIS”.
Ata dyshohet se kanë përdorur rrjetet sociale “Facebook” dhe “TikTok” për të shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse dhe thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe xhihadit.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime potencialisht mund të prishet rendi publik”.
D.B., sipas provave që ka paraqitur Prokuroria, ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij, dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjeve në fuqi, dhe t’iu vazhdohet masa e paraburgimit ndaj D.B. dhe ajo e arrestit shtëpiak ndaj E.B.









