Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dy aktakuza ndaj tre personave, I.U., K.B., dhe M.J., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas aktakuzës së parë, i pandehuri I.U akuzohet se nga viti 2021 deri më 23 shtator të vitit 2024, ka shpërndarë materiale me përmbajtje nacionaliste në platformën sociale Facebook.

“Ndërsa, më 23.10.2024, gjatë kontrollit policor në veturën e tij, i janë gjetur dhe sekuestruar katër çanta me materiale të ndryshme, si fanella 148 kartëvizita me përmbajtje nxitëse dhe përçarëse, që do të mund të shkaktonin prishje të rendit publik”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërsa, në aktakuzën e dytë, të pandehurit K.B., dhe M.J., akuzohen se në vitin 2020, përmes Facebook-ut, “kanë shfaqur një video në parkun e qytetit në Gjakovë, me përmbajtje nxitëse dhe me qëllim që të shkaktojnë përçarje mes grupeve kombëtare dhe etnike”.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjeve në fuqi.