Procesi i rinumërimit të votave planifikohet që të përfundojë sot (e premte), ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në një përgjigje për VOX Kosova.

Deri më tani, janë rinumëruar rreth 95 për qind e votave, apo 2 mijë e 414 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë gjithsej.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komunave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë. Ky proces, planifikohet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”, tha Elezi.

Më 19 janar, KQZ vendosi që të rinumërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi që në rinumërimin e pjesshëm u konstatuan manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.

Përveç rinumërimit të plotë, KQZ-ja vendosi edhe që t’iu ndërpritet mandati i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, pasi në këtë komunë pati manipulime të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë.

Vendimi u mor pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore. Mbështetje i dhanë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në KQZ.

Prokuroria nga ana tjetër ka filluar hetimet për manipulimet e votave. Madje, në Prizren, të premten e kaluar u ndaluan 109 persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë fenomen, prej të cilëve 23 përfunduan në paraburgim.

Po ashtu, edhe në Malishevë u ndaluan 15 persona, ndërsa u intervistuan edhe 43 të tjerë.