Procesi i numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit po vazhdon. Deri më tani janë numëruar 69.18 për qind e votave. Derisa tani është bërë edhe më e qartë se kush do të jetë në top-pesëshen e deputetëve më të votuar.
Lëvizja Vetëvendosje
Deri më tani, në radhët e VV-së, kandidati më i votuar është Albin Kurti, me 241 mijë e 107 vota. Pas tij renditet Glauk Konjufca me 187 mijë e 984 vota, ndërsa Albulena Haxhiu ka siguruar 98 mijë e 487 vota. Në pesëshen e më të votuarve janë edhe Hekuran Murati me 97 mijë e 558 vota dhe Donika Gërvalla me 87 mijë e 650 vota.
Partia Demokratike e Kosovës
Në Partinë Demokratike të Kosovës, kandidati më i votuar është Bedri Hamza, i cili ka marrë 110 mijë e 117 vota. Befasi është vendi i dytë, që është Arian Tahiri me 50 mijë e 976 vota. I treti renditet Përparim Gruda me 47 mijë e 437 vota, ndërsa Uran Ismaili i katërti me 37 mijë e 441 vota dhe Sala Jashari e pesta me 34 mijë e 537 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, më i votuari është kryetari i partisë Lumir Abdixhiku, me 53 mijë e 825 vota. Pas tij vijnë Hykmete Bajrami me 33 mijë e 816 vota, Ukë Rugova me 29 mijë e 739 vota, Avdullah Hoti me 26 mijë e 504 vota dhe Doarsa Kica-Xhelili me 26 mijë e 170 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kandidati më i votuar është Ramush Haradinaj, me 28 mijë e 273 vota. Pas tij renditen Daut Haradinaj me 17 mijë e 404 vota, Besnik Tahiri me 16 mijë e 727 vota, Bekë Berisha me 12 mijë e 314 vota dhe Agim Çeku me 11 mijë e 444 vota. Por, duke qenë se kjo parti ka marrë vetëm 6 deputetë, disa prej këtyre emrave do të zëvendësohen me gra, për shkak të kuotës gjinore.
Sipas rezultateve preliminare, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, VV-ja mori 49.34 për qind, PDK 20.98 për qind, LDK 13.57 për qind, AAK 5.66 qind.









