Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk do të jap dorëheqje për shkak të protestave të studentëve, të cilët janë në revoltë që tri ditë.

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndërrohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo revolucion”, tha Rama në përgjigjet me shkrim për pyetjet e Reuters.

Studentët në Shqipëri filluan protestat të martën. Ata kanë sulmuar disa institucione, si Ministria e Drejtësisë e ajo e Ekonomisë, por edhe disa prona private në Tiranë.

Policia përdori gaz lotsjellës, sprej për sy e topa uji për të shpërndarë protestuesit.

Të enjten, protesta u shtri edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si në Durrës, Vlorë, Elbasan etj. Si pasojë e protestave, seanca e Kuvendit shqiptar e paraparë për të enjten u anulua.

Studentët janë duke protestuar kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit qeveritar. Kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e Ramës.

“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, t’u përgjigjem shqetësimeve legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. Alternativa do të ishte tradhtia ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për t’i përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, shtoi kryeministri shqiptar.

Rama ka theksuar se do të ishte i gatshëm të diskutonte për rritjen e kostove të arsimit, por pohoi se “sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe rrezikimi i sigurisë publike nuk kanë të bëjnë fare me kërkesat legjitime të studentëve”.

Protestat e dhunshme të studentëve vijnë pas disa muajsh demonstratash paqësore, të cilët kundërshtonin ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Rrugët e Tiranës ishin të mbushura të martën dhe të mërkurën me kontejnerë të djegur të mbeturinave, stacione autobusi të thyera dhe semaforë të dëmtuar.

Të mërkurën, dhjetëra mijëra studentë dolën në rrugët e Tiranës, i vunë flakën disa ndërtesave qeveritare dhe dy bankave, si dhe hodhën gurë në drejtim të policisë.

Organizatorët e protestave studentore thonë se ato lidhen me kushtet në universitete, kostot e arsimit të lartë, mungesën e mbështetjes financiare dhe perspektivat e punësimit pas diplomimit.

“Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç e ka riafirmuar së fundmi edhe vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë”, tha Rama.

“Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si pararendëse drejt anëtarësimit në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna ta devijojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, shtoi.

Protestat në Shqipëri janë pjesë e një vale të aktivizmit studentor në Evropë.

Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar protesta që kanë zgjatur me javë të tëra dhe kanë bllokuar shkollat, duke kërkuar më shumë mësimdhënës dhe kushte më të mira.

Ata argumentojnë se përkeqësimi i gjendjes së ndërtesave shkollore dhe mbingarkesa e klasave po dëmtojnë arsimin.