Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se do të garojnë të vetëm në zgjedhje, edhe pse theksoi se punoi për t’u bashkuar me Partinë Demokratike të Kosovës, por kjo pohoi se u pamundësua. Megjithatë, deklaroi se do t’i bashkohet grupit Parlamentar të PDK-së nëse e kalon pragun.

“Nisma garon në zgjedhje. Nisma garon në zgjedhje me 110 burra e gra, familjarë të dëshmorëve, veteranë e veterane, intelektualë, gra e burra të cilët e kanë vetëm një synim: në listën tonë zgjedhore nga 1 deri në 110 askush nuk e çan hallin kush do të jetë deputet i Parlamentit të Kosovës. Ne jemi rreshtuar 110 vetë për të ia dhënë një mundësi ndryshimit Kosovës qeverisjes dhe bashkimit të madh”, tha Limaj në një konferencë për media.

“Në këtë fazë u pamundësua, dikush e pamundësoi bashkimin [me PDK-në], po duke njohur ata miqtë e mi andej, shokët e mi të veprimit e idealit dhe ne këndej, askush s’mund të na ndalë që të bashkohemi në një grup të fuqishëm parlamentar, grup i cili do të ndryshojë qeverisjen”, theksoi ai.

Limaj potencoi se deri në sekondën e fundit ka punuar që sonte “ta japim një lajm të madh”, duke iu referuar bashkimit me PDK-në. “Fatkeqësisht ky bashkim nuk ka ndodhur. Shkaku se pse nuk ka ndodhur bashkimi tanimë dihet. Ama kjo është vetëm një fazë. Rruga për bashkim është e vështirë, por ne do të vazhdojmë”, shtoi.

Pavarësisht që nuk u bashkua për këto zgjedhje me PDK-në, Limaj potencoi se nuk do të ndalet që të punojë për ta arritur këtë pas zgjedhjeve.

“Ashtu siç ju kam dhënë fjalën… që kam me punu fuqishëm për atë bashkim, unë nuk do të ndalem me bashkëpunëtorët e mi dhe ai bashkim do të vjen. Individi nuk e ndal bashkimin, jemi na shumica që e dojmë bashkimin, dhe ai do të vjen”.

Ai deklaroi se derisa këtu në Prishtinë, “për arsye që dihen, bashkimi nuk ndodhi, ne do t’i kthehemi bashkimit nga baza”. “Baza fillon bashkimin”, konsideron ai.