“Përndryshe: ajde u p**u mater”.

Kështu i ka sharë ish-Kryetari i Mitrovicës së Veriut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, disa prokurorë serbë, që kanë punuar më herët në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Këtë sharje, Atiq e ka bërë përmes Facebook-ut, pasi që e ka shpërndarë postimin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi nënshkrimin e dekretit për lirimin nga detyrë të prokurorëve të komunitetit serb të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Postimi i Erden Atiqit.

Nënshkrimi i dekretit nga Haxhiu erdhi pasi që të hënën Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), vendosi për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook të martën.

Prokurorët, gjyqtarët dhe policët serbë ishin dorëhequr nga institucionet e Kosovës më 5 nëntor 2022, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin e të targave ilegale nga automjetet të cilat ishin lëshuar nga Serbia dhe zëvendësimin e tyre me ato të Kosovës.