Ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij “nuk do të bëhet pjesë e lojërave të Kurtit” për çështjen e Presidentit. Haradinaj thotë se i pari i VV-së “është tallur me partitë tjera” të cilat i ftonte për marrëveshje.
“Ne kemi dhanë ofertën tonë për krijimin e institucioneve edhe pse e kemi ditë që është lojë e Kurtit. Ai ka ba këtë lojë me të gjithë. I ka ftu në takime i ka tallë edhe në fund i ka lanë pa marrëveshje. Nuk jemi pjesë e lojërave të tij politike dhe s’do të bëhemi”, tha Haradinaj, kur u pyet nëse Aleanca do të heqë dorë nga pikat e përcaktuara si kushte për votimin e Presidentit.
Siç u shpreh Haradinaj, Kosova aktualisht po shkon drejt zgjedhjeve, mirëpo që ditët deri më 6 tetor, do të ishte “e turpshme” të mos shfrytëzoheshin në veprime politike për krerët e UÇK-së që u dënuan me 81 vjet burg nga Gjykata Speciale.
“Jemi në zgjedhje realisht se çdo gjë shkon drejt zgjedhjeve. Do të ishte e turpshme me i lanë këto ditë pa i shfrytëzu të paktën për me u ba bashkë me popullin. Bashkë me zërin e shqiptarëve. Pra jo në emrin tonë ky verdikt”, shton.
Në Kuvendin e Kosovës, këtë të hënë(28 shtator) do të hidhet në votim deklarata lidhur me aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës për ish-krerët e UÇK-së.









