Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përsëritur qëndrimin e PDK-së që fillimisht të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara në dy lexime dhe më pas të vazhdohet me zgjedhjen e Presidentit.
“Po e them, po e ripërsëris për të satën herë, kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është dhe kjo nuk është për PDK-në, se kjo është ma e madhe se PDK-ja. Historia e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se na. Ne po themi me u aprovu ligji në të dy leximet pastaj me u propozu emri për President dhe me u zgjedh Presidenti e me u shmang zgjedhjet”, tha Hamza për gazetarë para mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së.
Nëse dikush tjetër, theksoi ai, “ka plan me çu vendin në zgjedhje është temë tjetër”.
Kurti dhe Hamza janë takuar të premten dhe të shtunën, por nuk kanë thënë se është arritur ndonjë marrëveshje.
PDK është duke insistuar që Ligji për Specialen të votohet fillimisht në dy lexime dhe më pas të kalojnë te tema e Presidentit.
Qeveria e miratoi të premten vendimin për ta dërguar në Kuvend për votim Ligjin për Specialen.









