Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se nuk është arritur marrëveshje politike mes dy subjekteve.
Kurti ka thënë se takimi ka shërbyer për diskutimin e zhvillimeve aktuale politike, situatës institucionale dhe mundësive për bashkëpunim në të ardhmen.
Ai ka bërë të ditur se në takim ka marrë pjesë bashkë me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ndërsa nga LDK-ja kanë qenë Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe ish-presidentja Vjosa Osmani.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale, të sfidave të cilat na presin në aq shumë fusha për progresin që i nevojitet qytetarëve të Republikës dhe shtetit tonë. Ndamë edhe shumë brenga që i kemi, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen”, ka deklaruar Kurti.
Megjithatë, ai ka konfirmuar se nga takimi nuk ka dalë ndonjë marrëveshje konkrete politike.
“Sa i përket takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasjet e ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se nevojitet një marrëveshje politike që, sipas tij, respekton rezultatin zgjedhor dhe kontribuon në stabilitetin institucional.
Kurti ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një dakordim, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen”, ka deklaruar ai.
Kreu i ekzekutivit në detyrë ka thënë se Vetëvendosje dhe LDK do të vazhdojnë komunikimin dhe takimet, por ka shtuar se koha për një zgjidhje politike është shkurtuar.
“Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet”, ka thënë Kurti.
Ai ka kritikuar edhe mungesën e takimeve me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, duke e cilësuar si të pajustifikueshme që partitë politike të mos komunikojnë në një situatë të tillë.
Kurti ka thënë se mbetet i gatshëm për takime edhe me kryetarin e PDK-së dhe atë të AAK-së, duke theksuar se ka shumë tema për të diskutuar dhe çështje ku mund të gjendet pajtim.









