Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mandatet e deputetëve janë “djegur” dhe se çdo veprim i tyre tashmë është jokushtetues.
I pyetur për seancën e thirrur për 9 shtator, Haradinaj, i ftuar në emisionin “Canapé” në T7, tha se partia fituese nuk ka arritur ta konstituojë Kuvendin, ndërsa sipas tij, mandatet e deputetëve tashmë kanë përfunduar.
“Partia fituese që nuk e ka konstituu Kuvendin, mandatet e deputetëve janë djegur, shpenzimet në zgjedhje janë djegë…”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se nuk lejohet pjesëmarrja në seancë pa mandat kushtetues.
“Ne nuk jemi deputetë, unë s’kam mandat më. Me shku në një seancë pa mandat kushtetues nuk lejohet. Mandati i parë është djegë, edhe mandati i dytë është djegë të shtunën, më 5 shtator. Çdo veprim që marrim është jokushtetues”, tha Haradinaj në “Canapé” në T7.









