Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka refuzuar si të pabazuar kërkesën kryetarit të Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj VOX Kosova.

Në aktvendimin e datës 9 shtator 2026,  gjykata ka refuzuar kërkesën që VOX Kosova dhe Lirim Mehmetaj të detyrohen të heqin ose t’i bëjnë të paarritshme për publikun artikujt, videot, narracionet, titrat dhe publikimet në rrjetet sociale që lidhen me dyshimin se Halil Thaçi kishte ndërhyrë te Prokuroria për lirimin e personave të përfshirë në incidentin e 4 gushtit 2026 në Obiliq.

Halil Thaçi e kishte paraqitur padinë më 7 gusht 2026, duke kërkuar kompensim të dëmit. Bashkë me padinë, ai kishte kërkuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, me arsyetimin se publikimet përbënin pretendime të pavërteta dhe po i shkaktonin dëm reputacionit të tij.

Gjykata ka vlerësuar se kërkesa për masë të përkohshme të sigurisë është e pabazuar, pasi nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një masë të tillë.

Sipas arsyetimit të aktvendimit, gjykata ka konstatuar se masa e kërkuar nga Thaçi do të prodhonte të njëjtin efekt sikurse vendimi përfundimtar në çështjen kryesore, pa u përfunduar ende procesi gjyqësor.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se paditësi nuk ka dëshmuar ekzistimin e një rreziku konkret që, pa caktimin e masës, realizimi i kërkesës së tij kryesore do të pamundësohej apo vështirësohej dukshëm.

Kronika për të cilën Halil Thaçi kishte paraqitur padi: