Lëvizja Vetëvendosje i ka emrat për President, derisa kanë paralajmëruar takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës për këtë çështje gjatë kësaj jave.
Kështu të paktën ka deklaruar nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili nuk i tregoi se cilët janë emrat që ata do t’i propozojnë.
“Lëvizja Vetëvendosje unë vetëm po them se është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin pastaj procesi i negociimit. Edhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati sepse javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha që kjo javë do të jetë java në të cilën ata do të takohen”, tha Konjufca, pas seancës gjyqësore ku akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 10 gusht 2016.
“Me sa kam marrë vesh unë, në Vetëvendosje kryeministri Kurti ende nuk ka një ftesë nga apo një diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave. Po kështu e ka përdorur gjuhën kryetari Abdixhiku, ka thënë ‘këtë javë’. Prandaj ne jemi në pritje e sipër që kjo të ndodhë. Dhe kur kjo të ndodhë, atëherë unë mendoj që do të jetë shumë afër marrëveshja për Presidentin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Duke qenë se takimi i ardhshëm mes VV-së dhe LDK-së do të bëhet për t’u dakorduar për një emër, Konjufca tha se kjo nënkupton propabilitet të madh që të zgjidhet ngërçi politik.
“Do të takohen përmes propozimit të emrave konkretë dhe prej atyre emrave besoj se do të jetë presidenti ose presidentja e ardhshme e Kosovës”, deklaroi Konjufca ndër të tjera.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për çështjen e Presidentit u takuan për herë të fundit më 18 gusht.
Ata thanë se kanë diskutuar për profilin e Presidentit dhe se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të propozojnë emra konkretë.
Ndërkohë, Kuvendi po vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndonëse afati kushtetues ka kaluar që nga 7 gushti.
Vetëvendosja i ka votat për konstituimin e Kuvendit, por kanë thënë se duhet marrëveshje për Presidentin.
Nga ana tjetër, opozita, posaçërisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, e kanë akuzuar VV-në për “cenim të rendit kushtetues”.
Pikërisht për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.









