Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka sulmuar sërish sistemin e prokurorisë, duke thënë se Blerim Isufaj nuk duhet të bëhet Kryeprokuror.
Kurti ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një Kryeprokuror të ri, por ai s’duhet të jetë Isufaj.

“Duhet edhe një Kryeprokuror i ri, por jo Blerim Isufaj. Unë s’po them kush duhet të jetë, por kush s’duhet. Pse mos ta them unë. A e kuptoni se në çfarë gjendje jemi për shkak të një personi. Sa i përket Prokurorisë, shumica e problemeve kanë qenë të veçanta, Blerim Isufaj”, ka deklaruar Kurti.

I ashpër i njëjti ishte edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ai ka arsyetuar mosrealizimin e disa zotimeve të Qeverisë që nga viti 2021, duke ia lënë përgjegjësinë Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë një deklarimi për Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore, Kurti tha se këto institucione ende nuk janë funksionalizuar, duke theksuar se, sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese po vonon përgjigjet.

“A e dini që po i bëhen edhe 900 ditë? 900 ditë nuk na ka dhënë Gjykata Kushtetuese përgjigje. A keni organizuar ndonjë emision pse Gjykata Kushtetuese 900 ditë nuk po përgjigjet për Fondin Sovran?”, u shpreh Kurti gjatë një përgjigjeje për gazetarin e KTV-së.