Në mungesë kuorumi, ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në rend dite të mbledhjes së kësaj së premte ishte edhe shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, konkretisht pika për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaçi, tha se disa prej anëtarëve kanë njoftuar për arsyet e mungesave, por që disa të tjerë nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Më kanë informuar se 4 prej tyre nuk do të marrin pjesë në takim… As një nga anëtarët nuk kanë paraqitur kërkes për pushim. Nuk mund të lejohet sjella e tillë. Si pasoj e mungesës se kourumit ky takim nuk mund të mbahet”, tha ai.
Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte refuzuar tërheqjen e dorëheqjes së prokurorëve serbë të cilët ishin larguar me vullnet nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022. Pas vendimit në KPK, Haxhiu dekretoi dorëheqjet e tyre.
Ndërkohë, u.d Presidentja, ka kërkuar që njësoj si KPK, asaj t’i bindet edhe Këshilli Gjyqësor.
“Mendoj që është lajm shumë i keq që atë ditë Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk veproi njësoj, në linjë me Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në linjë me përgjegjësitë ligjore. Ju njoftoj që unë i kam dërguar shkresë sërish Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. E kam njoftuar për raportin që unë kam, në raport me integritetin e atyre ish-gjyqtarëve serbë. Nuk më është përgjigjur ende në atë letër”, tha.
“Pres që sa më parë Këshilli Gjyqësor i Kosovës të veprojë në përputhje me përgjegjësitë. Nuk kanë nevojë që të bien në presionin dhe ndikimin e askujt. Është shumë e rëndësishme që si gjyqtarë, që të kryejnë me përgjegjësi të lartë detyrat që i kanë”, shtonte.









