Daut Haradinaj i Aleancës nuk ka shumë besim në grupin punues që u krijua sot në mbrojtje të UÇK-së.

“S’ka buxhet, s’pashë asnjë gjë serioze në të” ka thënë Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës teksa ka pasur kritika edhe për Ligjin për Specialen.

“Ligji i Speciales e kam bindjen që është ligj koti, kanë bërë pazar për presidentin dhe s’po shoh kurrfarë rezultati” ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e veprimeve në përballjen me propagandën dhe lobimin e Serbisë, duke pyetur se çfarë ka bërë ajo gjatë pesë vjetëve.

“Unë e kam veç një pyetje: çka ka bo Qeveria e Kosovës qe pesë vjet? Kur ne e kemi ditë që Serbia nuk është ka ndalet në luftën e saj, në propagandën e saj, në lobimin e saj”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka vënë në pikëpyetje edhe punën e grupit punues që udhëhiqet nga Glauk Konjufca, duke kritikuar Ministren e Drejtësisë Donika Gërvalla për mungesën në Kuvend kur është votuar projektligji për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Ministria e Drejtësisë është për faqe të zezë. Ministrja e Drejtësisë ka mungu në Parlament kur u votu ligji, edhe sot në Qeveri. Çfarë guximi me pasë ky komision në krye me Glauk Konjufcën, kur ministrja e Drejtësisë është kundër këtyre veprimeve?”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka thënë se nuk sheh logjikë që grupi punues të ndërmarrë veprime kur, sipas tij, vetë ministrja e Drejtësisë i kundërshton ato.

“Unë nuk e shoh çfarë logjike ka që këta me bo diçka. Kjo është ajo thënia e Churchill-it: nëse don mos me bo kurgjo, krijo grupe, trupa, komisione. Kjo është mos me bo kurgjo, me mashtru opinionin publik, me qetësu reagimin qytetar”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për angazhimin ndërkombëtar të kryeministrit të Kosovës.

“Pyetja ime është: a ka shku Kryeministri në ndonjë qendër të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ngrit zanin, me lyp drejtësi, jo mëshirë?”, ka përfunduar Haradinaj.