Vjosa Osmani, Presidentja e Kosovës, nuk e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit. Osmani nuk u përgjigj as nëse është e gatshme që të diskutojë për postin e Presidentit.

“Për tema tjera tash jemi deklaruar. Faleminderit për mirëkuptimin… Jemi deklaruar për këto çështje, ju lus për mirëkuptim dhe respekt të masakrës”, deklaroi Osmani për gazetarë nga Krusha e Madhe, ku mori pjesë në tubimin për përkujtimin e 27 vjetorit të Masakrës së Krushës së Madhe.

Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin për dekretin e Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, ku konstatoi se ky dekret nuk ka efekt juridik dhe u dha kohë 34 ditë deputetëve që ta zgjedhin Presidentin.

Osmani kishte shpërndarë Kuvendin më 6 mars, një ditë pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit.