Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjigjur nëse është duke i pritur zhvillimet në Lidhjen Demokratike të Kosovës për të rinisur diskutimet për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

LDK-ja së shpejti pritet që ta mbajë Kuvendin e saj, ku do të votëbesohet Kryetari Lumir Abdixhiku.

Pasi që një pjesë e delegatëve të LDK-së deponuan nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të LDK-së për shkarkimin e Kryetarit, Abdixhiku tha se ka ndërprerë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të reja.

Abdixhku dhe Kurti janë takuar një herë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Më 10 korrik. Ky takim nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Seanca konstituive e Kuvendit duhet të thirret më së largu deri më 7 gusht. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se të premten do të caktojë datën për thirrjen e seancës konstituive.