Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është përgjigjur nëse do ta pranojë gazin amerikan, kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Po zbresim poshtë. Po zbresim poshtë me një fotografi të përbashkët me delegatët e 2 korrikut”, tha Kurti për gazetarë të enjten, pasi që u pyet nëse do ta pranonte gazin amerikan si kusht për formimin e institucioneve.

Përgjigje për këtë çështje nuk pati as Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

“A bën ta përfundojmë aktivitetin që e kemi sepse nuk e kemi përfunduar ende. Jo jo e kemi edhe një aktivitet të përbashkët”, deklaroi Haxhiu.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës që të bashkohet në projektet e tyre për shtrirjen e gazit amerikan në Ballkan si kundërpeshë e varësisë evropiane në energjinë dhe gazin rus e kinez.

Kryeministri Kurti ka hedhur poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë. Sipas tij, një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.

“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kilowolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti në RTK, një ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit.