Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar edhe tre pjesëtarë të Grupit të Intelektualëve, të cilët u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999 dhe u zhdukën me dhunë.
Sipas Kurtit, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së, janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.
Kurti bëri të ditur se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me institucionet e tjera përkatëse, tashmë i ka njoftuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare.
Megjithatë, në njoftimin e tij, kryeministri nuk e përmendi fare institucionin që e kishte nisur procesin e hetimit dhe identifikimit, Prokurorinë Speciale.
Njoftimi i plotë i Albin Kurtit:
Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Komisioni, së bashku me institucionet e tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prill të vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
Zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, së bashku me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, të cilat ajo vazhdon t’i mohojë e t’i fshehë, teksa klasifikon dhe mbyll dokumentet e arkivat, si dhe glorifikon autorët e gjenocidit.









