Albin Kurti nuk e ndryshoi sistemin. Ai ndryshoi vetë. Dhe pikërisht në ligjërimet e tij populiste si opozitar, për drekat e darkat si qeveritar, xhipat e zinj e truprojat.

Kurti dhe vartësit në Zyrën e tij në kryeministri, qindra mijëra euro të buxhetit të shtetit i çuan në tryeza restorantesh, bileta udhëtimi e derivate për xhipat e zinj që vozisin Kurtin e rrethuar nga disa truproje.

Në vitin 2021, Zyra e Kurtit shpenzoi vetëm 33 mijë e 962 euro për dreka e darka, derivate dhe bileta udhëtimi.

Por në vitin 2022, kuleta filloi të hapet më shumë për gosti e fluturime qeveritare, duke u shpenzuar për to 192 mijë e 369 euro.

Në vitin 2023, shpenzimet u rritën sërish, duke arritur në 208 mijë e 893 euro.

Në vitin 2024, vitin e sanksioneve evropiane ndaj Kosovës, drekat, darkat dhe udhëtimet e Kurtit me stafin e tij u shtuan, çuditërisht, për ta rritur faturën në 315 mijë e 588 euro.

Nëse më herët keni besuar në ligjërimet e Kurtit për shpenzime minimaliste qeveritare – cilit Kurti i besoni tash, pas pesë vjetëve të tij si kryeministër?