Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar pas komunikimit zyrtar të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), e cila në prag të ndeshjes ndërmjet ekipeve U21 të Kosovës dhe Spanjës, e ka cilësuar Kosovën si “territor i Kosovës”.
“Federata e Futbollit e Kosovës përmes një shkrese nga presidenti Agim Ademi drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentit të RFEF-së, Rafael Louzan ka paraqitur notë proteste ndaj veprimit të papranueshëm të Federatës Spanjolle të Futbollit, e cila në komunikimet e saj zyrtare në prag të ndeshjes kualifikuese për Evropianin 2027, Kosovë-Spanjë, iu referua Kosovës si ‘territori i Kosovës’, thuhet në reagimin e FFK-së.
Sipas FFK-së, për fat të keq nuk është hera e parë që “përballemi me një sjellje të tillë nga Federata e Futbollit të Spanjës dhe ne e konsiderojmë këtë plotësisht të papranueshme”.
“Prandaj, kërkojmë nga UEFA një reagim të qartë dhe të menjëhershëm për këtë çështje, si dhe një korrigjim publik dhe pranim zyrtar nga Federata e Futbollit të Spanjës, duke e pranuar se veprimet e tyre ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të UEFA-s”.
Kosova U21 luan sot me Spanjën U21 në kualifikimet për Evropianin 2027 që mbahet në Shqipëri e Serbi.
