Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar edhe dy gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) – një hap tjetër i fushatës së administratës së Donald Trump-it, për të ndëshkuar ata që janë të përfshirë në përpjekjet për të hetuar veprimet e Izraelit gjatë luftës në Gaza.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të enjten se po vendos sanksione ndaj Gocha Lordkipanidze nga Gjeorgjia dhe Erdenebalsuren Damdin nga Mongolia, për shkak se kanë qenë “të përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet e ICC-së për të hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht shtetas izraelitë, pa pëlqimin e Izraelit, përfshirë votimin me shumicë në favor të vendimit të ICC-së kundër ankesës së Izraelit më 15 dhjetor”.
Më 20 gusht, SHBA-të kishin vendosur sanksione edhe ndaj dy gjyqtarëve dhe dy prokurorëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Ndër të sanksionuarit ishte edhe Nicolas Yann Gillou, gjyqtari paraprak që kishte konfirmuar aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Të hënën, ICC-ja, me seli në Hagë, refuzoi përpjekjen e Izraelit “për të bllokuar hetimin” në vazhdim lidhur me krimet e dyshuara në Gaza.
Në një deklaratë të enjten, ICC-ja i dënoi sanksionet e reja, duke i quajtur ato “një sulm flagrant ndaj pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm”.
“Kur aktorët gjyqësorë kërcënohen për zbatimin e ligjit, në rrezik vihet vetë rendi juridik ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
SHBA-ja dhe Izraeli e kanë refuzuar vazhdimisht autoritetin e ICC-së për të hetuar veprimet e secilit prej këtyre shteteve.
“Nuk do të tolerojmë abuzimet e pushtetit nga ICC-ja që shkelin sovranitetin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit dhe që i nënshtrojnë padrejtësisht persona amerikanë dhe izraelitë juridiksionit të ICC-së,” tha Rubio në deklaratën e tij të enjten.
“Ne do të vazhdojmë të përgjigjemi me pasoja të rëndësishme dhe konkrete ndaj ‘luftës ligjore’ dhe tejkalimit të kompetencave nga ana e ICC-së,” shtoi ai.
ICC lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, në nëntor 2024, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykata lëshoi gjithashtu urdhër-arreste ndaj tre zyrtarëve të lartë të Hamasit.









