Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka shpallur “persona non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezana Paunović, duke i ndaluar përherë hyrjen dhe kalimin tranzit në Republikën e Kosovës.
Sveçla njoftoi se vendimi është marrë pas deklaratave të Paunovićit, të cilat ai i cilësoi si vazhdimësi të politikës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.
“Snezana Paunović ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Sllobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka thënë se retorika e ministres serbe nuk është e re, por përfaqëson vazhdimësinë e një politike shtetërore që, sipas tij, ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.
“Sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović e kam shpallur persona non grata, me ndalim të përhershëm të hyrjes apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës”, ka njoftuar ministri.
Sveçla ka theksuar se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik, duke shtuar se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të cenuar sovranitetin e vendit do të marrë, sipas tij, “përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.









