Albin Kurti ka thënë se deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s janë “nomadë” që nuk duan që Kosova të ketë shtëpi dhe se ‘’po e pengojnë” votimin e Komisionit për votim të fshehtë në mënyrë “brutale”.
Mirëpo ai nuk e përmend faktin se është ai dhe partia e tij që po refuzojnë të propozojnë një kandidat të pranueshëm nga pjesa tjetër e spektrit politik, duke e lënë kështu Kosovën pa Kuvend të konstituuar.
“Deputetët e mazhorancës po e duan Kuvendin, e deputetët opozitarë që s’kanë Qeveri s’po e duan Kuvendin. Deputetët opozitarë që s’duan që Kosova të ketë Kuvend, i quaj deputetë nomadë”, tha Kurti.
Kurti madje duke iu referuar partive tjera si “opozitë” e vetes si “qeveri,” po shpërfillë faktin se për “qeveri” dhe “opozitë” mund të flasim vetëm pas konstituimit të Kuvendit.
Këtë të enjte është zhvilluar edhe seanca e 33-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe ka dështuar përsëri, meqë Lëvizja Vetëvendosje nuk është duke u tërhequr nga kandidatura e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit.