Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja ka goditur një zonë portuale që, sipas tij, përdorej nga anije venezueliane të dyshuara për trafik droge.
Presidenti amerikan tha se kishte pasur një “shpërthim të madh” në vendin “ku ata i ngarkojnë anijet me drogë”, por nuk dha më shumë detaje apo vendndodhjen e portit. Qeveria e Venezuelës ende nuk ka reaguar, shkruan BBC.
Sipas CNN dhe New York Times, të cilat citojnë burime të afërta me çështjen, shpërthimi është shkaktuar nga një sulm me dron i kryer nga CIA. Nëse konfirmohet, shkruan BBC, ky do të ishte operacioni i parë i njohur amerikan brenda territorit të Venezuelës.
Trump më herët ka kërcënuar me sulme tokësore në Venezuelë, si dhe ka autorizuar veprime të fshehta të CIA-s, si pjesë e një fushate presioni ndaj presidentit venezuelas Nicolas Maduro.
Nuk ka pasur asnjë koment zyrtar nga Venezuela lidhur me deklaratat e Trumpit dhe, megjithëse ka pasur spekulime në rrjetet sociale, mediat shtetërore venezueliane nuk kanë raportuar për ndonjë sulm.
Gazetarët e pyetën Trumpin të hënën nëse CIA kishte kryer sulmin dhe ai tha se “nuk dua ta them këtë. E di saktësisht kush ishte, por nuk dua të them kush ishte”.
Kjo është hera e dytë që Trump përmend shpërthimin. Në një intervistë radiofonike javën e kaluar, ai përshkroi një operacion amerikan kundër një “objekti të madh”, por dha shumë pak detaje.
Një sulm amerikan në tokë do të përbënte një përshkallëzim të dukshëm të presionit që administrata Trump ka ushtruar ndaj Maduros, të cilin SHBA-ja e ka akuzuar se udhëheq një organizatë “narko-terroriste” – akuzë që presidenti venezuelas e ka mohuar.
Që nga shtatori, SHBA-ja ka kryer 30 sulme ndaj asaj që thotë se janë anije të trafikimit të drogës, duke shënjestruar mjete lundruese në Oqeanin Paqësor dhe Karaibe, dhe duke vrarë më shumë se 100 persona.
Sulmi më i fundit ndodhi të hënën, kur Komanda Jugore e SHBA-së njoftoi në një postim në rrjetet sociale se dy “narko-terroristë” u vranë në një “sulm kinetik vdekjeprurës” në Paqësorin lindor.
Megjithatë, SHBA-ja nuk ka ofruar prova që mbështesin akuzat se anijet e goditura po transportonin drogë.
Me përjashtim të dy të mbijetuarve – një shtetas kolumbian dhe një ekuadorian – identitetet e personave të tjerë që ndodheshin në bord nuk janë bërë publike.
Duke folur të hënën, Trump dha pak detaje për sulmin e pretenduar në tokë, por la të kuptohej se ishte arritur një fazë e re në fushatën e presionit ndaj Venezuelës.
“Ne i goditëm të gjitha anijet, dhe tani goditëm zonën… është zona e zbatimit. Aty ata zbatojnë, dhe ajo zonë nuk ekziston më”, tha ai, pa sqaruar se cilës zonë i referohej.
Administrata Trump i ka përshkruar sulmet ndaj anijeve në Karaibe dhe Paqësorin lindor si goditje kundër terroristëve që përpiqen të sjellin fentanil dhe kokainë në SHBA.
Përveç goditjes së anijeve që dyshon se transportojnë drogë, Uashingtoni ka dislokuar gjithashtu një forcë të madhe ushtarake në Karaibe dhe ka urdhëruar një bllokadë detare ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Administrata Trump e ka akuzuar Venezuelën se përdor të ardhurat nga nafta për të financuar krimin e lidhur me drogën dhe e ka shpallur qeverinë e Maduros “Organizatë Terroriste”.
Në javët e fundit, forcat amerikane kanë sekuestruar dy cisterna nafte dhe kanë ndjekur një të tretë.
Qeveria e Maduros, e cila prej kohësh akuzon SHBA-në se dëshiron të vjedhë pasuritë e naftës së vendit të Amerikës së Jugut, i ka quajtur këto sekuestrime “pirateri”.
Nicolás Maduro ka akuzuar gjithashtu SHBA-në se po e përdor “luftën kundër drogës” si justifikim për të tentuar rrëzimin e tij nga pushteti.
Kur Trump u pyet javën e kaluar nëse qëllimi i sekuestrimeve ishte detyrimi i Maduros për t’u larguar nga pushteti, presidenti amerikan u përgjigj: “Epo, mendoj se ndoshta do të ishte… Kjo varet nga ai se çfarë dëshiron të bëjë. Mendoj se do të ishte e mençur që ta bënte këtë. Por, sërish, do ta zbulojmë”.









