Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, ka njoftuar se është ftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt”, shkroi Osmani në Facebook.

Ajo theksoi se lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. “Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike”.

“Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, shtoi e para vendit.

Këtë ftesë nga Trump, para disa ditësh njoftoi se e ka marrë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.