Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Nexhat Pireva, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, por kanë bërë me dije se i njëjti është liruar më pas.
“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Nexhat Pireva, shtetas i Republikës së Kosovës nga Kamenica dhe ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës për rreth 14 vite, është arrestuar nga autoritetet serbe. Ai po udhëtonte drejt Bujanocit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre”, thuhet në njoftim.
Pas marrjes në pyetje, siç thonë nga MPJD, për rreth katër orë, ai është liruar dhe aktualisht ndodhet në liri.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon veprimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe, të cilat përbëjnë keqtrajtim të shtetasve të Republikës së Kosovës dhe janë në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve”.
MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të “shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë deri në informacione të mëtejshme, për të siguruar mbrojtjen e tyre”.









