Kosova dhe Panamaja kanë nënshkruar marrëveshje për njohjen e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Nga MPJ-ja kanë thënë se kanë nisur diskutimet për liberalizimin edhe për pasaportat e rregullta.
Me këtë marrëveshje, nga MPJ theksuan se Kosova dhe Panamaja kanë shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Panamasë, Carlos A. Hoyos, në një ceremoni zyrtare që, sipas MPJ-së, “rikonfirmoi përkushtimin e të dy vendeve për avancimin e bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjeve diplomatike”.
“Gjatë takimit dypalësh që i parapriu nënshkrimit, palët diskutuan për nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave edhe për mbajtësit e pasaportave të rregullta, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë sigurinë, arsimin e lartë dhe turizmin”, thuhet aty.
Po ashtu, u dakordua që raundi i ardhshëm i konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive, në nivel të zëvendësministrave, të mbahet në Prishtinë në fund të vitit 2026.









