Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, aktualisht udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Demokracia”, i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një postimi në Facebook të hënën.

“Partisë Demokratike të Kosovës, sot zyrtarisht i është bashkuar Iniciativa Qytetare ‘Demokracia’, e udhëhequr nga ish-deputeti Shkumbin Demaliaj”, shkroi Hamza.

Shkrirja e kësaj iniciative në PDK, sipas Hamzës është një hap i rëndësishëm “në rrugëtimin tonë të përbashkët për forcimin e vlerave demokratike dhe angazhimin qytetar”. “Vazhdojmë përpara me përkushtim dhe bashkëpunim për një Kosovë më të mirë!”.

Demaliaj në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kishte garuar si kandidat për Kryetar të Deçanit. Ai ishte renditur i katërti, ku kishte marrë mbi 9 për qind të votave.