Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, konferencën pas mbledhjes së Grupit Parlamentar e ka nisur duke i kritikuar gjashtë deputetët e LDK-së, të cilët e refuzuan Bekim Sejdiun si President.
Ai tha se veprimet e tyre ishin të papërgjegjshme dhe të turpshme.
“Isha shumë i lumtur që mbështetja ishte e plotë nga i gjithë grupi ynë parlamentar. Natyrisht që kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku, në njërën anë, ishte shpresëdhënëse, mirëpo më pas e patëm njoftimin negativ se gjashtë nga grupi parlamentar nuk e mbështesin Bekim Sejdiun për President. Kjo është një situatë e re dhe kërkon që të takohemi prapë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sjellja e gjashtë deputetëve ishte e papërgjegjshme dhe e turpshme”, deklaroi Kurti.
Ai në këtë konferencë për media paralajmëroi një takim të ri me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe deklaroi se marrëveshja me këtë subjekt politik qëndron akoma.









