Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar të enjten se shtetasit të Kosovës, ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, autoritetet serbe ia kanë caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Qenaj u arrestua nga Serbia më 26 nëntor.
MPJ ka bërë të ditur se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj Qenajt, me pretendime për krime lufte gjatë vitit 1999.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson sërish se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Nga ky dikaster theksuan se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojnë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe “do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e Qenaj dhe për të kundërshtuar këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik”.
“Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar Qenajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë”.
MPJ ka potencuar se Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor “i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit”.
“Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim. Familjarët e tij kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor”.
Qenaj është arrestuar më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar Merdarë, gjatë transitit drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, ku familja e tij ka një biznes familjar.
Pas arrestimit, ai është mbajtur për 48 orë në Prokuplje dhe më pas është transferuar në Beograd. Më 28 nëntor, ai ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës të Beogradit, ku është njoftuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit ka iniciuar procedurë penale kundër tij dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit.









