Avdullah Hoti ka njoftuar se do të kandidojë për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shkroi Hoti në Facebook.
Në këtë moment të cilin e konsideron si vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, ai është zotuar se me përgjegjësi të plotë do të marrë “barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë”.
“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë”.
“Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim; ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon; dhe ku energjia e re bashkohet me përvojën për ta kthyer LDK-në në alternativën kryesore qeverisëse të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Ai ka falënderuar të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së për përkushtimin në udhëheqjen e LDK-së në pesë vitet e fundit: Kryetarin Abdixhiku, kolegët e Kryesisë, të degëve e nëndegëve dhe forumet anekënd Kosovës.
“Mirënjohja ime e thellë shkon, para së gjithash, për anëtarësinë besnike të LDK-së — shtyllën mbi të cilën kjo parti ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë”.
Ai është shprehur i bindur se potenciali i LDK-së është shumë më i madh. “Është koha që këtë potencial ta çlirojmë dhe ta kanalizojmë për ta kthyer LDK-në në forcën politike kryesore në Republikën e Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror”.
Hoti ka thënë se të gjithë së bashku do t’i rikthejnë dhe forcojnë vlerat e tyre themeltare: “demokracinë e brendshme, guximin politik për të marrë përgjegjësi, vizionin shtetformues dhe orientimin e palëkundur euro-atlantik. Këto vlera nuk janë kujtim i një të kaluare të lavdishme — ato janë të domosdoshme për të ardhmen tonë. Vetëm duke u kthyer tek to, me vendosmëri dhe unitet, do ta rikthejmë LDK-në në ballë të proceseve demokratike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës”.
“Ky është momenti për bashkim. Për maturi. Për guxim politik. Për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion”.








