Një person me inicialet S.R është arrestuar nën dyshimet për sulm ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe pjestarëve të Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023.
“Prokuroria Speciale e Kosovës, në koordinim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar, ka arrestuar të dyshuarin S.R nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për veprimet e mëtutjeshme, Prokuroria ka thënë se publiku do të njoftohet në kohë.
Në maj të vitit 2023, serbët lokalë në Veri të Kosovës kishin zhvilluar protesta të dhunshme për të kundërshtuar kryetarët shqiptarë të komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – që të futeshin në zyrat e tyre.
Si pasojë e protestave të dhunshme të serbëve lokalë, kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it – kryesisht italianë dhe hungarezë.









