Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër shtetas të Serbisë, të identifikuar si gjuetar, për kalim ilegal të kufirit dhe armëmbajtje pa leje, derisa kanë demantuar lajmet që janë publikuar në mediat serbe se “një grup shqiptarësh ka hapur zjarr drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe”.

“Policia e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një ‘grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar ( ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’, janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në bazë të të gjitha të dhënave operative, nga policia theksojnë se raportimet nga njësitet policore në terren dhe koordinimit me institucionet tjera kompetente, nuk është regjistruar asnjë incident i karakterit të pretenduar. “Publikimi i informacioneve të tilla të pasakta kontribuon në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare”.

Policia e Kosovës ka siguruar qytetarët dhe opinionin publik se situata në zonën kufitare ka qenë dhe vazhdon të mbetet e qetë dhe plotësisht nën kontroll të autoriteteve.

“Gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, vlen të ceket se njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar (gjuetarë) shtetas të Serbisë për kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, te cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Kosovë”, potencohet aty.

Policia ka bërë me dije se armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore.

Policia u ka bërë thirrje mediave që të referohen vetëm “në burime të verifikuara dhe të shmangin publikimin e informacionit të pa konfirmuar, i cili mund të ndikojë negativisht në rendin dhe sigurinë publike”.

Ata kanë thënë se mbeten të përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme, zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit publik për të gjithë qytetarët e Kosovës.