Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se dëshmia e ish-Komandantit të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të jetë “bombë”.
“Ne nga Clark-u presim shumë, qysh kemi prit deri më sot. Këta gjashtë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmitë e tyre edhe Clark-u. Unë besoj që Clark-u do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale”, tha Gucati në një intervistë për Klan Kosova, një ditë para se Clark-u të nis dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.
Ai e quajti ish-Komandantin e NATO-s si njeriun më të afërt të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe UÇK-së.
“Njeriu i cili mori vendimin edhe hapa të mëdhenj ta bombardonte Serbinë në atë kohë dhe nëse ne UÇK-ja shpallemi organizatë kriminale atëherë do të shpallet edhe NATO organizatë kriminale, që NATO-ja bombardojë Serbinë për krimet e gjenocidit që i bëri në Kosovë mbi 460 masakra, 13 mijë qytetarë të vrarë … do të thotë krimi dhe krimineli ka emër dhe mbiemër ai është Millosheviçi në krye me aparatin shtetëror dhe forcat policore çetnike që bënë krim”, shtoi ai.
Gucati beson se Clark do të dëshmojë për të gjitha këto krime të Serbisë. “Clark-u e njeh UÇK-në dhe ka punu me UÇK-në dhe në vazhdimësi ka qenë një përkrahës i madh i Kosovës”, deklaroi ai ndër të tjera.









