Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mos zgjedhja e një nënkryetari të Kuvendit, në këtë rast atij serb, nuk mund ta bllokojë funksionimin e Parlamentit, pasi që ka vlerësuar se Kuvendi si institucion nuk duhet të bllokohet, sepse, sipas saj, do të cenonte themelet e shtetit.

Këto komente, Osmani i ka bërë në një konferencë për media të martën, ku bëri me dije se ka dërguar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi që Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, pas ankesës së Listës Serbe.

“Bllokimi i konstituimit të Kuvendit për shkak të mos zgjedhjes së vetëm një nënkryetari gjatë seancës konstituive, përderisa kryesia ka korum, do ta cenonte në mënyrë serioze jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe vetë themelet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë”, tha Osmani.

Sipas saj, po synohet që për një nënkryetar “të bllokohet shteti në tërësi”. “Sepse një shtet pa institucione është shtet i dështuar, dhe është detyrim i gjithë secilit prej nesh që ta bllokojmë çdo synim për ta arritur qëllimin e dështimit të Kosovës”, shtoi.

“Përderisa Kryesia e Kuvendit ka korum, përderisa kuvendi ka zgjedhur kryetar në përputhje të plotë me Kushtetutën, Kuvendi si institucion nuk duhet të bllokohet, sepse një bllokim i tillë si instrument edhe në të ardhmen do të krijonte precedent të rrezikshëm për paralizimin total shtetëror”, potencoi.