Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit më 9 shtator.

Kështu bëri të ditur Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një prononcim për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie të hënën, pavarësisht se tha se moskonstituimi i deritanishëm është shkelje e Kushtetutës.

“Ne konsiderojmë që Kosova duhet të ketë Kuvend të konstituaar. Nuk besojmë dhe nuk po dojmë me besu… prapë se prapë i kemi rezervat rezervat tona duke e parë se çka është duke ndodh, se edhe kjo është një ftesë që mundet mos me u konstitu Kuvendi i Kosovës, me u ba veprime dhe lojëra tjera politike dhe me u përlengu edhe më tej kjo çështje. PDK do të jetë në Kuvendin e Kosovës”, tha Hamza.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të marrin pjesë në seancën e 9 gushtit.

Kështu bëri të ditur deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie të hënën.

“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në këtë seancë dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj”, tha Lushaku-Sadriu për media.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi i dalur nga zgjedhjet e 7 qershorit, duhej të konstituohej më së largu më 7 gusht. Por, Vetëvendosja, përkundër se i kishte 61 votat e nevojshme, nuk e bëri.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë thënë se me moskonstituimin e Kuvendit brenda afateve kushtetuese është shkelur “rendi kushtetues”.