Ndonëse takimi me Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për Presidentin përfundoi pa ndonjë rezultat, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “një hap përpara”, pasi që kanë folur për emra konkretë.
“Sot kemi vazhduar me diskutime rreth emrave konkretë. Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të them me bindje të plotë se të gjithë emrat në masë të madhe dikush më shumë e dikush më pak është në vijë me parimet e dakorduara deri më tani. Dhe në këtë drejtim, le të themi se ky është një hap përpara meqenëse nga koncepti politik rreth parimeve kemi kaluar në emra”, tha Abdixhiku pas takimit.
Ai theksoi se nuk mund t’i tregojë emrat për të cilët kanë diskutuar, derisa paralajmëroi takim tjetër me Kurtin.
“Për shkak të ndjesisë së procesit ju lus për mirëkuptim, nuk mund të diskutojë për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.








