Studentët e Kosovës do të protestojnë të premten e 5 qershorit në mbështetje të bashkëkombësve të tyre studentë në Maqedoni të Veriut, të cilët po kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në Gjuhën Shqipe.
Protesta do të mbahet para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.
“Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ata kanë thënë se Gjuha shqipe nuk është privilegj. “Ajo është e drejtë e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
“Ne besojmë se arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të pengohen nga barriera gjuhësore të vendosura padrejtësisht. Prandaj, ftojmë të gjithë studentët, organizatat studentore, shoqërinë civile dhe qytetarët që të bashkohen me ne”, theksohet tjetër në njoftim.

Studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut kanë mbajtur dy protesta në Shkup – më 6 prill dhe më 18 maj.
Mijëra studentë kanë kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në Gjuhën Shqipe.
Ata kanë thënë se kjo është e drejtë e tyre që garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, duke iu referuar Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Në mbështetje të tyre, më 26 maj në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, ishte organizuar protestë nga studentët e Shqipërisë.









