Në fjalën e tij, Ismail Tasholli deklaroi se lufta e UÇK-së ishte çlirimtare dhe se kjo, nuk mund të zhbëhet kurrë.

“Sot dua t’ju drejtohem vetëm si qytetar, jo si përfaqësues i kësaj apo asaj pale, jo si zë politik. Sepse kur vjen fjala për UÇK-në, aty nuk ka më ndarje, nuk ka poste, aty jemi të gjithë bashkë, njësoj. Jemi bijtë dhe bijat e një historie që na ka bashkuar në momentet më të vështira. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë dhe për atë themel nuk flasim me dallime, por me një zemër”, u shpreh Tasholli.

Ai deklaroi se nga ky marsh po u dërgohet një mesazh i qartë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, për t’i siguruar se nuk janë vetëm.

“Thirrjet tona për drejtësi e jo politikë nuk janë kundër askujt, por për dinjitetin tonë kolektiv. Ne nuk mund të pranojmë procese që përdoren për të barazuar agresorin me viktimën apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës sonë. Nëse drejtësia devijon nga parimet e paanshmërisë dhe barazisë, dhe kur gjyqi në Hagë vepron në emër të Kosovës, atëherë ne kemi të drejtë të themi: jo në emrin tonë. Drejtësia nuk mund të jetë selektive; ajo duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Qytetarët duan drejtësi, jo politikë. Nga kjo ditë e pavarësisë ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që janë në Hagë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë të tjerët – ju nuk jeni vetëm. Pas jush qëndron një komb i tërë, qëndron historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë. Ky është vetëm fillimi, nuk do të ndalemi kurrë”, deklaroi Ismail Tasholli para mijëra qytetarëve në marshin “Drejtësi, jo politikë”.