Teleskopi i fuqishëm i gjeneratës së ardhshme i NASA-s është nisur në hapësirë nga platforma e lëshimit në Florida, me misionin për të eksploruar energjinë e errët, vrimat e zeza dhe mistere të tjera të Universit.

Teleskopi Nancy Grace Roman, siç shkruan BBC, do të kapë pamje panoramike të hapësirës në përmasa të jashtëzakonshme. Sipas NASA-s, fusha e tij e shikimit do të jetë 100 herë më e madhe se ajo e teleskopëve hapësinorë Hubble dhe James Webb.

Misioni nis me një udhëtim 100-ditor drejt një pozicioni rreth 1 milion milje larg Tokës, nga ku teleskopi do të fillojë të hartëzojë planetët jashtë sistemit tonë diellor, të njohur si ekzoplanete.

“Roman do të ndryshojë mënyrën se si e shohim Universin”, tha Nicky Fox, administratore e NASA-s.

Lëshimi i suksesshëm i teleskopit u krye të dielën në mëngjes, sipas orës lokale, nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.

Jackie Townsend, menaxhere e projektit të teleskopit Roman në NASA, e përshkroi lëshimin si “madhështor” në një konferencë për media pas tij.

“Udhëtimi ishte i jashtëzakonshëm. Na çoi pikërisht aty ku donim të ishim”, tha ajo.

Rreth 30 minuta pas lëshimit, Roman u shkëput nga raketa e SpaceX dhe tani po udhëton drejt pikës së tij të orbitimit, rreth 1 milion milje larg Tokës.

Fox tha se Roman “do të zbulojë dhjetëra mijëra, ndoshta edhe 100 mijë ekzoplanete të reja”, duke iu referuar planetëve që ndodhen jashtë sistemit tonë diellor.

“Pse na interesojnë kaq shumë ekzoplanetet? Sepse një nga qëllimet tona kryesore në NASA është t’i përgjigjemi pyetjes: ‘A jemi vetëm në Univers?’”, shtoi ajo.

Presidenti Amerikan, Donald Trump, u lidh përmes telefonit me konferencën për media të agjencisë hapësinore për të uruar shkencëtarët që po punojnë në këtë projekt.

“Ju jeni më të mirët në hapësirë dhe ne kemi vendin më të mirë kudo në botë. Prandaj, le ta vazhdojmë të gjithë këtë. Ju jeni një pjesë e madhe e saj”, tha Trump.

Astronomja Jenifer Millard tha se teleskopi do të jetë katër herë më larg Tokës sesa është Hëna. Në atë zonë funksionojnë shumë kamera infra të kuqe të hapësirës, të projektuara për të kapur atë që ajo e përshkruan si “dritë nxehtësie”.

Ajo i tha BBC-së se kjo distancë është e nevojshme për të siguruar që drita infra e kuqe nga Hëna dhe Toka të mos ndërhyjë në funksionimin e kamerave.

Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s, i lëshuar në vitin 2021, gjithashtu orbiton rreth Diellit, rreth 1 milion milje larg Tokës, por fusha e tij e shikimit nuk është aq e gjerë. Ndërsa Teleskopi Hapësinor Hubble i NASA-s, i lëshuar në vitin 1990, orbiton rreth 300 milje mbi sipërfaqen e Tokës.

Ndërsa Roman do të vëzhgojë hapësirën e thellë të Universit, Millard tha se shkencëtarët presin gjithashtu që ai të zbulojë mijëra botë të reja në galaktikën tonë.

Teleskopi është emëruar sipas fizikantes Nancy Grace Roman, e cila ishte astronomja e parë kryesore e NASA-s në vitet 1960 dhe drejtuesja e parë grua e agjencisë.

Gjatë karrierës së saj, ajo luajti një rol të rëndësishëm në sigurimin e miratimit të Teleskopit Hapësinor Hubble nga Kongresi amerikan dhe më vonë tha se zbulimi më interesant i tij ishte energjia e errët.

Teleskopi i ri pritet në mënyrë të ngjashme të revolucionarizojë kuptimin tonë për Universin, përfshirë përmes studimit të energjisë së errët. Ai ka një jetëgjatësi fillestare prej pesë vitesh, me synimin për të funksionuar deri në 10 vjet.

NASA thotë se “vëzhgimet e tij të qarta dhe gjithëpërfshirëse do t’i ndihmojnë shkencëtarët të studiojnë energjinë e errët dhe materien e errët, të zbulojnë dhe karakterizojnë ekzoplanetet, të hartëzojnë miliarda galaktika, të studiojnë vrimat e zeza dhe të eksplorojnë objekte që nga sistemi ynë diellor deri në skajin e Universit të vëzhgueshëm”.

Materia e errët, e cila është e padukshme, vepron si një lloj “ngjitësi” gravitacional, ndërsa energjia e errët besohet të jetë një forcë zmbrapsëse që nxit zgjerimin e Universit. Së bashku, besohet se përbëjnë rreth 95 për qind të Universit.

“Një nga qëllimet tona kryesore në NASA është t’i përgjigjemi pyetjes: a jemi vetëm në Univers?”, tha Fox në konferencën për media të së dielës në mëngjes.

“Me Romanin, ne do të bëjmë këtë hap gjigant përpara… që do të na mundësojë të shohim këto botë shumë, shumë të largëta dhe të fillojmë të analizojmë vërtet atmosferën rreth tyre për të kuptuar: a mund të jenë ato të banueshme?”.

Millard tha se, përmes punës së teleskopëve si Roman, shkencëtarët shpresojnë të krijojnë “harta të jashtëzakonshme kozmike” të Universit në faza të ndryshme të historisë së tij.

“Ato do të jenë pothuajse si një qepë, në mënyrë që të mund të qëroni shtresë pas shtrese… dhe të shihni se si shpërndarja e galaktikave ndryshon përgjatë kohës kozmike”, tha ajo.

“Ajo që duam të bëjmë është ta përdorim këtë shpërndarje për të kuptuar materien e errët dhe energjinë e errët, sepse e dimë që ekzistojnë, i shohim efektet e tyre, por se çfarë janë në të vërtetë mbetet një mister i madh.”