Albulena Haxhiu, që aktualisht luan rolin e të parës së Kosovës, do të udhëtojë për në Tivat të Malit të Zi, në mënyrë që të përfaqësojë Kosovën në Samitin mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
“Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin BE, Ballkani Perëndimor, i cili mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Samiti i përvjetshëm mbledh liderë të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian për të diskutuar tema që rangojnë nga e ardhmja e rajonit në unionin evropian, tek Plani i Rritjes e tek tema tjera që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Samiti mbledh udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë samit, u.d. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”, thuhet tutje në njoftimin e Presidencës.
Të enjten e 4 qershorit kryeministri shqiptar, Edi Rama, publikoi një fotografi nga Tivati, në të cilën shiheshin liderë nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja, por jo edhe nga Kosova.









