Një forum i ri që synon të kontribuojë në sigurinë, zhvillimin demokratik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës është lansuar të martën në Prishtinë.

Forumi Euro-Atlantik është prezantuar në një ceremoni të mbajtur në mbrëmjën e së martës në Prishtinë, ku u bë e ditur se kjo iniciativë do të bashkojë ekspertë dhe profesionistë nga Kosova, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i këtij forumi, Bajram Geci, ka thënë se përparimi drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore, akademisë, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Sipas tij, një nga synimet kryesore të iniciativës është krijimi i më shumë hapësirave për dialog brenda Kosovës dhe ndërtimi i lidhjeve me organizata e profesionistë nga shtetet aleate.

Geci ka vlerësuar se Kosova ka mundësi të ndërmarrë hapa konkretë drejt përmbushjes së objektivave euroatlantike edhe pa pritur kërkesa apo iniciativa nga NATO-ja dhe BE-ja.