Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante lidhur me dyshimet për manipulim të votave në Prizren.
Kështu ka bërë të ditur Kryeziu në një përgjigje për VOX Kosova.
“Po, sot në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciativë kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet”, ka thënë Kryeziu.
Çdo person, siç thotë ai, që ka vendosur nënshkrimin e tij “duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale”.
“Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, shtoi ai.









