Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë nisur takimin e paralajmëruar, vetëm dy ditë para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Takimi vjen në një kohë kur vendi vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa palët paraprakisht kanë shprehur interes për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Para hyrjes në takim, Kurti foli shkurt për mediat, duke thënë se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit është përgjegjësi e të gjitha forcave politike.

“Ne kemi mjaftueshëm mbështetje sa i përket Kuvendit dhe qeverisë, por që të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e Presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita. Kurse kushtetutshmëria është e tillë që presidentin e sheh si shprehje të unitetit dhe ku opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”.

Kurti kishte ftuar në takim edhe Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por të dyja partitë e refuzuan ftesën, duke bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë proces.