Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ka filluar numërimi i votave të kandidatëve për Kuvende Komunale pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit që u mbajtën në Kosovë.
Kështu ka njoftuar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një konferencë për media teksa ka theksuar se në 38 Qendra Komunale të Numërimit do të punohet në dy orare.
Ai po ashtu ka njoftuar se KQZ ka emëruar më shumë se 520 ekipe të numërimit me mbi 2 mijë anëtarë dhe se numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve
Sipas të dhënave preliminare të deritashme, Elezi ka thënë se në 54 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi, janë 2.119 zarfe me fletëvotime
Elezi shtoi se nga votimi jashtë Kosovës, nga tërheqja e dërgesave postare që është bërë nga 22 kuti postare, nga gjithsej 23, numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime është 33.258.









