Nine Inch Nails kanë njoftuar për një album të ri surprizë, në bashkëpunim me Boys Noize, i cili do të publikohet më 17 prill. Lajmi vjen disa ditë përpara performancës së tyre të përbashkët “Nine Inch Noize” në Coachella

Dy artistët kanë një histori bashkëpunimi – përfshirë kolonat zanore për Challengers dhe Tron: Ares – dhe tashmë ishin shpallur në listën e artistëve të Coachella me emrin Nine Inch Noize.

Tani është zbuluar se ata do të publikojnë një album të plotë së bashku me të njëjtin emër. Duke shkruar në llogaritë e tyre në Instagram, ata njoftuan se albumi do të publikohet më 17 prill dhe është etiketuar si “HALO 38”, në përputhje me publikimet e numëruara në mënyrë sekuenciale gjatë gjithë karrierës së Nine Inch Nails.

Nine Inch Nails angazhuan producentin dhe DJ gjerman Boys Noize për të “dekonstruuar dhe më pas ri-imagjinuar” muzikën e Trent Reznor dhe Atticus Ross për filmin Challengers të Luca Guadagnino në vitin 2024, dhe më pas vazhduan të punonin së bashku në kolonën zanore të Tron: Ares vitin e kaluar.

Boys Noize gjithashtu iu bashkua NIN në koncertet në Mbretërinë e Bashkuar gjatë pjesës së turit të tyre gjigant “Peel It Back” verën e kaluar, duke sjell remixe nga një skenë e vogël dytësore në mes të publikut.

Në koncertin e fundit të atij turneu, Reznor foli për të ardhmen e grupit, duke sqaruar deklaratat e mëparshme që kishin lënë të kuptohej se bendi nuk do të performonte më kurrë.

“Mendoj se thashë diçka ditën tjetër, që më pas u keqinterpretua në diçka që nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Ajo që thashë ishte se ky është koncerti i fundit i këtij turneu dhe nuk kemi asnjë koncert të planifikuar dhe nuk kemi plane për të rezervuar koncerte në të ardhmen e afërt deri tani. Kjo nuk do të thotë që mund të mos bëjmë turne përsëri”, tha Reznor.