Profesori amerikan, Edward P. Joseph, është shprehur i shqetësuar se në Gjykatën Speciale mund të ketë një motivim me vetëdije apo jo, që të shpallë aktgjykim dënues për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimi ndaj të cilëve do merret më 16 shtator.

“Unë nuk kam asnjë informacion të veçantë dhe askush nuk duhet të mendojë se kam. Jam si të gjithë të tjerët, thjesht po vëzhgoj. Do të thosha se jam i shqetësuar. Nuk do të bëj një parashikim, por jam i shqetësuar se mund të ketë, me vetëdije ose pa vetëdije, një motivim që kjo gjykatë të gjejë ndonjë dënim për të pandehurit”, tha Joseph për Ekonomia Online.

“Sepse, si mund ta justifikojnë ndryshe këtë proces shumëvjeçar dhe shumë të shtrenjtë, pagat e tyre të larta, stafin e tyre, gjithë atë mbështetje?”.

“Pra, ata kanë një buxhet të madh, dhe pastaj ju merrni ish-presidentin Thaçi, e largoni nga detyra këtu dhe e çoni atje lart, dhe në fund nuk keni asgjë? Nuk ka asnjë dënim?”.

Ai shprehet i shqetësuar se ky mund të jetë një motivim i vetëdijshëm ose i pavetëdijshëm.

Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.

Fillimisht, ishte paraparë që aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së të shpallej më 19 maj, por më pas ishte shtyrë për 20 korrik. U shtye sërish. Dhe, përfundimisht u vendos për 16 shtator.

Krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.

Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.

Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.

Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.

Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.